August 31, 2012

Ksamili, perla e bregdetit Jon ( Foto-Video-Lajm )




Tek plazhet e Ksamilit nuk mundet të ketë rrëmujë e dyndje. Për këtë arsye, ato ngjajnë si plazhe elitare e jo për masë të madhe gjindjeje. E gjithë vija bregdetare e Ksamilit, është e përthyer dhe e ndërprerë nga “xhepa” plazhesh, me numër të kufizuar çadrash, ku në disa syresh, mund të qëndrojë edhe një familje e vetme, apo deri në dhjetë persona. Ato janë të rregulluara nga mirëmbajtës dhe menaxhues të tyre në pozita pronarësh të rregullt. Disa prej plazheve, kanë një rërë të imët e të bardhë që nuk e has asgjëkundi në bregdetin shqiptar. Një çadër e dy shezllongje paguhen me nga 400 lekë, ndërkohë që ofrohen dhe biçikleta uji për pushuesit, të cilët mund të shijojnë vajtjen në ishujt e vegjël aty pranë, që janë pjesë e aventurës e argëtimit në plazhet e Ksamilit, sidomos kur drejt tyre shkohet me not. Çmimi i tyre është 600 lekë ora. Vija bregdetare e Ksamilit ka dhe një të veçantë, që nuk është e mbushur me ndërtime apo lokale. Dhe kjo është një garanci për një det të pastër.
Deti e pejsazhi përballë
Deti është mjaft i pastër, dukshëm prej një të kaltërte të thellë që përzihet nga e një e jeshille ngacmuese, e që të dyja përçojnë një përmasë kristalore të lëbyrtë. Përballë janë ishujt e Ksamilit, të vegjël e të brishtë, destinacione joshëse për t`u vizituar, e pjesë e kësaj panoramë që nuk e has në asnjë plazh tjetër në vijën bregdetare të Shqipërisë, është dhe ishulli i Korfuzit përballë. Duke parë fqinjin grek aq afër, nis e mediton se sa e lehtë apo e vështirë mund të ketë qenë arratisja me not at`botë. Ky raport i rrallë vizual, pjesë qenësore e të bërit plash në Ksamil, të jep nganjëherë përshtypjen se je pjesë e ndonjë tabloje pikture, e jo në një realitet konkret. Por zgjidhni e shijoni: të arratisurit në një pikturë apo të qëndruarit në realitet?! Ksamili dhe këtë ta ofron.
Shërbimi hotelier
Në Ksamil, numërohen mbi 50 hotele e mbi 100 shtëpi private që ofrojnë dhoma për pushues. Por nuk janë të prera me thikë: një shtëpi është njjeherësh dhe hotel, ndonëse nuk mundet të ketë ndonjë pamje klasike.
Çmimet konsiderohen më të lirat në të gjithë vijën bregdetare shqiptare. Një dhomë për një familje, me katër apo 5 anëtare, shkon në 20 deri në 25 euro nata, pa ushqim, por me të gjitha konditat, si televizor, kondicioner e frigorifer. Ndërsa për çifte ka dhe çmime me 20 euro nata. Dhomat më të shtrenjta në një hotel shkojnë deri në 35 euro nata, por që pushuesve aty u ofrohet një vakt mëngjes, ndërsa nëpër dhoma, veç atyre që përmendëm më sipër ka dhe kasafortë me kode për mbajtje parash e banjo tejët moderne. Nga konkurenca, shumë pronar shtëpish e hotelesh, kanë punuar fort në krijimin e oborreve e kopshteve të gjelbëruara, të cilat janë karakteristike në Ksamil.
Parkimi
Në Ksamil, mund të parkosh, – nëse e thua popullorçe – ku të ta dojë zemra, gjë e rrallë në Shqipëri. Qyteza, nga vetë shtrirja dhe trendy i ndërtimeve, ofron hapësira të bollshme për lëvizje automjetesh e sigurisht parkim pa problem të tyre. Kjo lehtësi e ky komoditet, haset dhe afër bregut të detit, në çdo lloj pozicioni, por dhe në hapësirat përballë hoteleve e shtëpive me shërbim hotelier. Parkimi është falas kudo dhe nuk bëhet fjalë për pagesë.
Baret dhe restorantet
E veçanta e Ksamilit janë dhe baret e restorantet përgjatë bregut, të cilat janë të ndërtuara me dru; janë të hijshme, të thjeshta dhe jo të shumta. Distanca mes tyre është disa dhjetra metra dhe nuk shkaktojnë bllokim hapësirash e terrenesh. Ato plotësojnë nevojat e zakonshme për konsum të plazhistëve, me kafen e mengjësit, pijet e ndryshme dhe gatimet për vaktet e drekës apo darkës. Çmimet e tyre nuk janë të shtrenjta, duke patur në konsideratë llojin e klientelës. Por nga ana tjetër, nga pronarët merret në konsideratë fakti se aktiviteti i tyre fitimprurës shtrihet në vetëm 3 muajt e verës. Për këtë arsye, një kafe kushton nga 80 deri në 100 lekë nga 500 që mund të ishte diku në një lokal të zakonshëm të një qyteti pa karakteristika të veçanta. Po ashtu edhe pijet apo gatimet. Tek këto të fundit, dominojnë produket e detit. Dhe menytë ofrojnë pikërisht kualitete të ndryshme peshku, shoqëruar me sallata të llojllojshme. Prodhimet e detit janë karakteristike për çdo kuzhinë në Ksamil. Ato janë të freskëta dhe më një kualitet mjaft të lartë për shkak të pastërtisë së detit dhe kripëzimit të lartë.
Çmimet:
Një pjatë karakteristike mbetet spageti me fruta deti, midhje apo kallamarë, 400 lekë.
Fileto peshku – 1200 lekë.
Koha e lirë dhe argëtimi
Në Ksamil, kohën e lirë veç plazhit, mund ta kalosh duke ecur përgjatë një shëtitoreje pedonale shumë karakteristike të ndërtuar vitet e fundit, që gjarpëron paralel me bregdetin, në anën perëndimore të qytezës. Ndërkohë që për argëtimin e fëmijëve, ka si një kënd lojrash në qendër të qytezës e të tilla të improvizuara në ambiente plazhesh. Për të rinjtë janë disa disko, ku veçohet Eldorado dhe Afa. Te Eldorado, hyrja është me 500 lekë, por të ofrohet një pije falas. Ndërsa te Afa, hyrja është falas. Disa lokale, ofrojnë dhe tip diskosh të hapura, siç ndodh ne hotel Center. Aty në fakt, ofrohet çdo lloj muzike për t`iu përgjigjur çdo kategorie. Hyrja është falas, ndërkohë që ofrohen gatime zgare karakteristike.
Çmimet:
Birra, 300 lekë.
Koktejl, deri në 700 lekë.
Butrinti dhe “Dea”
Ksamil bën diferencën me çdo plazh tjetër në Shqipëri, për dy karakteristika: për Parkun Kombëtar të Butrinit, që është afro 3 kilimetra larg; si dhe për Qendrën Kulturore “Dea” që ka si drejtues kompozitorin dhe artistin e njohur Limoz Dizdari.
Në Butrint, mund të shkohet me makinë, por më mirë është që të shkohet në këmbë, në një variant xhiroje, duke ravguar në një rrugë të re të saposhtruar, e cila po pajiset me trotuare, pikërisht për një rrugëtim të tillë deri aty.
Butrinti është sadisfaksioni më i rrallë që mund të marrë një pushues që shkon në Sarandë apo veçanërisht në Ksamil, pasi konsiderohet se ke para hunde një surprizë të tillë e nuk bën të mos e përftosh e përjetosh.
E “Dea” po ashtu. Duke qenë në Ksamil, mund të njihesh nga afër me Qendrën Kulturore më unikale e më moderne në Shqipëri, e cila ka një sallon arti që mban emrin e të madhit të penelit shqiptar Abdurrahim Buza, si dhe një sallon leximi me bibliotekë e librari njëherësh që mban emrin “Migjeni”. Hyrja në to është falas. Ndërsa ajo që mund të paguash, është vetëm nëse preferon që një libër edhe ta blesh aty, për ta patur tëndin.
Kjo qendër, ka dhe një sallë moderne shfaqjesh e kinemaje njëherësh, me filma si për fëmijë, ashtu dhe për të rritur. Për fëmijë, filmi nis në orën 19.00. Ndërsa për të rritur në orën 20.30. Hyrja ka një çmim simbolik prej 50 lekësh për të dy kategoritë. Ndërsa shfaqjen me artistë të ndryshëm që drejtuesi i qendrës Limoz Dizdari fton nga Tirana, përgjithësisht janë falas.
Butrinti dhe “Dea” janë më të veçantat e Ksamilit, që në asnjë mënyrë nuk duhen humbur nëse zgjedh të pushosh aty.
Çmimet:
Hyrja për në Butrint kushton
300 lekë për vendasit
700 lekë për të huajt
Rruga për në Ksamil
Ksamili, për të gjithë ata që ende nuk kanë shkuar aty, është afro 10 kilometra më poshte Sarandës, rrugës për në Parkun Kombëtar të Butrintit. Nga Tirana, largësia është afro 300 km. për në Ksamil, mund të ndjekësh rrugën që kalon nga Fieri në Ballsh-Tepelenë-Gjirokastër-Sarandë. Por, në stinën e nxehtë këshillohet rruga e bregdetit: Fier-Vlorë-Dhërmi-Himarë-Qeparo-Borsh-Lukovë-Sarandë. Eshtë rruga e Rivierës së famshme shqiptare, që të ofron një panoramë mahnitëse. Rruga mund të bëhet më automjete private ose me autobusë linjash. Por më mirë është me automjete private, pasi liria e zgjedhjes se ndalesave gjatë rrugës ku dhe kur të duash, është mjaft e rëndësishme. Më pas, nga Saranda deri në Ksamil, rruga është e re dhe pothuajse tërësisht e shtruar.
Ksamili, zbulim dhe për të huajt
Veç shqiptarëve nga të gjithë trojet, Ksamili çdo vit e më tepër po konsiderohet një zbulim për shumë të huaj. Autobusë me turistë atyrë anëve më së shumti i përkasin Butrintit si destinacion, por ato po parkojnë së fundi dhe në plazhet e Ksamilit. Çelë, rusë, gjermanë e polakë, po bëhen plazhistë të zakonshëm në Ksamil. Sidomos polakë. Ata vijnë me autobusë, por dhe më automjete private. Familjarisht ose në shoqëri apo çift. Por Ksamili është një zbulim dhe për maqedonasit, veçanërisht ato me etni maqedonase. Dyndja e pushuesve nga Maqedonia dallohet qartë nga dominimi i targave të automjeteve. Edhe kosovarët nuk bëjnë përjashtim. Shumë prej tyre thonë se nuk e ndërrojnë Ksamilin me asnjë plash tjetër.


No comments:

Post a Comment