Shekulli i 14-të. Ja ç’shkruan Faik Konica në vitin 1940 për “bëmat” e dhespotit grek me emrin Thanas:
“Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e
qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin
zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për
të vrarë gjithë shqiptarët. Siç thotë Dukasi, (një historian grek) një
nga lojrat e tyre të parapëlqyera ishte t’u priste hundët ose pjesë të
tjera shqiptarëve dhe t’i linte të vdisnin në agoni”
Shekulli i 21-të. Mars 2007.
Një video linçohet në media, ku ushtarët grekë këndojnë duke
marrshuar një këngë me këto fjalë: “I shikoni ata, janë shqiptarë. Me
zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh”. Për fat të keq, edhe pse 7
shekuj më pas, incidenti më i fundit në lidhje me Greqinë, duket si
realizim virtual i masakrave të Thanasit. Edhe pas kaq kohe ndërgjegjjet
e kombeve vazhdojnë të mbajnë peng marrëdhëniet mes dy popujve.
Një “peng” që e ka zanafillën që kur pronarët shqiptarë në kohën e
Ali Pashë Tepelenës, punësonin argatë grekë pasi burrat shqiptarë
shkonin e luftonin në çdo cep të botës për Perandorinë Osmane. Vendosja e
tyre në Epir, që në fakt sipas Konicës, s’do të thotë gjë tjetër veçse
“Kontinent” e që nuk tregon kombësinë e banorëve që jetojnë në të, u bë
flamuri i pretendimeve të fqinjëve për greqizmin e jugut të Shqipërisë.
Një konflikt që ka sjellë shumë e shumë incidente mes dy vendeve. Gazeta
“Tirana Observer”, boton vetëm 100 prej tyre, që nga viti 1912 e deri
tek videoja greke që u shfaq vetëm pak ditë më parë. Por kjo është vetëm
njëra anë e medaljes së marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Dy popujt më të
lashtë në Ballkan, i kanë ardhur në ndihmë njëri-tjetrit në momente
shumë të vështira. Mes luftëtarëve që i sollën pavarësinë Greqisë,
renditen edhe shumë emra shqiptarësh. Ndërkohë përkrahja greke u vulos
edhe me “Traktatin e Mirëkuptimit, Fqinjësisë së Mirë, Bashkëpunimit e
Sigurisë” në vitin 1996.
Marshimi për të pushtuar Epirin, 5 tetor 1912
Organizatat greke deklarojnë bashkimin e forcave ballkanike për të
mbrojtur territoret nga faktori shqiptar që kërkonte pavarësinë. Veç
ushtrisë u organizuan dhe banda të armatosura që qarkullonin fshatrave
myslimanë të Çamërisë. Ishte koha kur përpjekjet e Shqipërisë për të
shpallur pavarësinë po jepnin frytet e para. Ky mobilizim i shqiptarëve u
pa si kërcënim për Greqinë e cila nisi hapur ofensivën për pushtimin e
Vorio Epirit. Emërimi i një guvernatori me origjinë shqiptare në Janinë u
interpretua nga grekët si zgjerim i një rreziku shqiptar për marrjen e
Janinës dhe krahinave përreth.
Konferenca e Ambasadorëve, Londër, 20 dhjetor 1912
Kërkesat për pavarësi të shqiptarëve u kundërshtuan jo vetëm me armë,
por dhe në rrugë diplomatike nga ana e Greqisë. Madje përfaqësuesit e
shtetit grek në Konferencën e Ambasadorëve në Londër kërkuan që përveç
Vorio Epirit, Greqia të aneksonte edhe Vlorën, në portin e së cilës
ishte vendosur Flota Helene. “Është e pamundur të lejohen shqiptarët
barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”, ky ishte
qëndrimi i delegacionit grek në Londër.
Masakra e udhëheqjes së Çamërisë, 7 mars 1913
Ushtria greke pas largimit të trupave turke pushton Çamërinë.
Gjenerali Deli Janaqis vendos të thërrasë në një takim krerët qyteteve
dhe fshatrave të Çamërisë për të vendosur një marrëveshje. Për disa ditë
me radhë, krerët çamë nuk pranojnë kushtet e komandantit grek. Atëherë
ai vendos t’i mbledhë për herë të fundit dhe urdhëron vrasjen e 62
kryetarëve çamë. Dhe sikur të mos mjaftonte, dy prej tyre, Fuat Pronjo
dhe Suhbi Bej Dino, me urdhër të gjeneralit rripen të gjallë.
Komisioni i Kontrollit, Shqipëri, shtator 1913
Ndërkombëtarët vendosin të zgjidhin çështjen e Epirit, duke dërguar
në terren një komision kontrolli, i cili do të verifikonte pretendimet e
grekëve për Korçën, Gjirokastrën, Përmetin dhe Sarandën. Ushtria greke u
përpoq që të pastronte rrugën ku do kalonte komisioni nga shqiptarët,
madje dhe banesat në disa fshatra u lyen me bojën e flamurit grek. Grupe
grekofilësh dërgonin peticione, ku thuhej se Jugu i Shqipërisë nuk
duhet të jetë i shqiptarëve. Mes grekëve dhe komisionit u regjistruan
dhe incidente.
Batalioni i Shenjtë, Andartët, 1913
Konferenca e Ambasadorëve nuk i dha të drejtë Greqisë për pretendimet
në Epirin e Veriut dhe urdhëroi tërheqjen e shqiptarëve. Në këtë pikë
nis plani i dytë i Greqisë për pushtimin e tij. Strukturat ushtarake
organizojnë “Batalionin e Shenjtë”, i përbërë nga kriminelë lufte,
dezertorë dhe të burgosur nga burgu i Kretës, të cilët më vonë do të
njiheshin si “Andartët”. Ky batalion kreu masakrat në të gjithë Jugun e
Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga
shqiptarët.
Protokolli i Firences, 17 dhjetor 1913
Është dokumenti që caktoi kufijtë e sotëm mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Një pjesë e Jugut të Shqipërisë ngeli në territorin grek. Ndërkohë që
Greqia nuk e njohu këtë protokoll, duke pretenduar se ngelej jashtë
trungut helen Epiri i Veriut, me disa dhjetëra mijëra minoritarë.
Paradoksalisht në Shqipëri ngelën rreth 38 mijë minoritarë, ndërsa në
Janinë dhe krahinat e tjera ngelën me Greqinë rreth 500 mijë shqiptarë
në qytetet e Filatit, Paramithķa, Margëllëi, Parga, Gumenica e Preveza.
Grushti i Shtetit, dhjetor 1913
Ndërsa Evropa pretendoi se e rregulloi përfundimisht çështjen
greko-shqiptare, në Jug të Shqipërisë nisën revoltat. “Batalioni i
Shenjtë” ishte vënë në veprim. Ushtarakët hoqën uniformat dhe nisën
masakrat dhe djegiet duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës
për lënien jashtë Greqisë të Korçës, Gjirokastrës. Sipas kronikave të
kohës, ishin rreth 40 mijë ushtarë që kryen masakra të pashembullta në
qytetet e Gjirokastrës, Korçës e Përmetit.
Masakrat në Përmet, 25 shkurt 1914
Masakrat greke nuk u bënë vetëm në zonën që sipas tyre i përket Vorio
Epirit, por edhe janë saj. Në Kuqar të Përmetit ushtria greke theri
gjithë fëmijët ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës ku i vrau në
mënyrë barbare. Po ashtu dhe në fshatin Peshtan ku një kronikë e kohës
shkruan. “Foshnjat ulërinin duke kërkuar prindërit. Ushtarët i mblodhën
dhe i çuan në një shtëpi ku ish një pus e ku i merrnin me radhë e u
prisnin kokat dhe i hidhnin brenda. Ndërkohë gratë i mblodhën në Delvinë
dhe pasi i përdhunuan i vranë me bajoneta”.
Protokolli i Korfuzit, 17 maj 1914
Më 24 prill 1914, Fuqitë e Mëdha njoftuan Greqinë se ishin të gatshme
t’u bënin lëshime ”Vorio-Epirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e
kufirit greko-shqiptar në favor të saj. Qeveria e ndodhur nën një
presion të gjithanshëm u detyra t’ua besonte Fuqive zgjidhjen e krizës.
Protokolli parashikoi që Korça e Gjirokastra, edhe pse do ishin në
shtetin shqiptar të kishin një administratë të vetën. Për shkak të
ndihmës që i dha Italia, Greqia i la ishullin e Sazanit.
Qeveria e Epirit të Veriut, nëntor 1914
Qarqet greke u përpoqën që revoltën ta organizonin në një lëvizje për
pavarësi të Epirit të Veriut. Për këtë qëllim ish-ministri i Jashtëm
grek, Nikollaq Zografi, së bashku me një grup ish-ministrash të tjerë,
shpalli krijimin e qeverisë së Vorio Epirit në Gjirokastër. Me ndihmën e
Andartëve, Zografi izoloi Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën. Zyrtarisht
qeveria greke nuk e njohu këtë qeveri të re, por nuk hezitoi ta
ndihmonte me ushqime dhe me armë.
Incidentet fetare, 1919
Qeveritë e brishta të Shqipërisë kishin arritur të krijonin
institucionet e para dhe të ruanin disi integritetin e vendit. Qeveria e
Iliaz Vrionit kish arritur të zmbrapste disa sulme të grekëve. Ndërkohë
shqetësim ishte propaganda antishqiptare e kishës greke. Rasti më tipik
ka qenë ai i Peshkopit Jakov të Korçës. Sipas raporteve ai e kish
kthyer kishin në një qendër propagande për Vorio Epirin. Me urdhër të
qeverisë Jakovi u largua nga vendi gjë që solli dhe reagimin e Athinës.
Konferenca e Paqes, Paris 1919
Konferenca e Londrës dhe ndarja e territoreve shqiptare nuk e kënaqën
oreksin grek. Në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore,
kryeministri grek Eleftherios Venizelos kërkon aneksimin e pjesës më të
madhe të Shqipërisë. Sipas tij, shqiptarët nuk kishin aftësi
shtet-formuese dhe nuk mund të krijonin një qeveri. “Shtetasit grekë në
Shqipëri duhet të drejtohen nga qytetërimi i lartë që përfaqëson shteti
helen dhe jo nga shqiptarët të cilët nuk kanë asnjë qytetërim”.
Incidenti për të drejtën e minoriteteve, mars 1921
Greqia me anë të ndërkombëtarëve fitoi të drejtë që minoritetet e saj
të kishin trajtimin e duhur nga shtete ku ata bënin pjesë. Kjo
nënkuptonte të drejtën për të folur gjuhën dhe për të pasur shkolla
greke. Por këto kushte Greqia nuk pranoi t’i plotësonte për popullsinë
çame që mbeti nën çatinë e Greqinë pas ndarjes së kufijve në territorin
grek. Shteti shqiptar e ngriti disa herë këtë çështje në lidhjen e
kombeve, por greket raportonin se çamët kishin të njëjta të drejta me
grekët e tjerë.
Përplasja e shifrave, 1921
Ekziston një incident i përhershëm mes Greqisë dhe Shqipërisë për sa i
përket çështjes së numrit të minoritarëve që ekzistojnë në Shqipëri.
Greqia pretendon dhe vazhdon të këmbëngulë se në territorin shqiptar
janë mbi 400 mijë grekë. Ndërkohë në Departamentin e Shtetit Amerikan
kjo shifër është rreth 200 mijë. Ndërsa në bazë të regjistrimit të bërë
nga shteti shqiptar, në mars të vitit 1921, ky numër ka qenë 33.313.
Sidoqoftë ky numër, sipas statistikave, nuk ka arritur asnjëherë të
kalojë shifrën 50 mijë.
Shkëmbimi i çamëve me turq, mars 1923
Përcaktimi i kufijve të Shqipërisë, i ndërprerë me 1913 nga Lufta e
I-rë Botërore dhe rinisur me 1919, la jashtë territorit rajone të
banuara nga shqiptarë, Çamërinë dhe Kosturin. Traktati i Lozanës
nënshkruar me 1923, parashikonte shkëmbimin e popullsive greke dhe
turke, për të zgjidhur kështu një problem të dy vendeve. Tragjikisht
Greqia konsideroi si myslimanë turq banorët e Çamërisë dhe mbi 6800 çam u
shpërngulën me forcë. Një pjesë e tyre preferoi të vinte në Shqipëri.
Vrasja e Gjeneral Tellinit, 23 gusht 1923
Gjenerali italian Tellini së bashku me Riza Kolonjën dhe përfaqësues
të palës greke u caktuan nga Konferenca e ambasadorëve për të vendosur
kufijtë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ushtaraku italian u akuzua nga
qeveria greke se po mbështeste pretendimet e Shqipërisë. Në ditë kur
vendoseshin piramidat kufitare në Kakavijë, Tellini vritet së bashku me
katër ushtarë në rrugën Janinë-Kakvijë. Qeveria greke e dënoi vrasjen,
por fajtorët nuk u gjendën asnjë herë.
Fan Noli për Çamërinë 22 gusht 1924
Zhvillimet në Çamëri e detyruan qeverinë Shqiptare të ngrejë çështjen
në Lidhjen e Kombeve. Kryeministri Fan Noli në një seancë për
Shqipërinë denoncoi hapur masakrat e ushtarëve grekë në jug të vendit.
Ai kërkoi që të mos kryhej ndërrimi i popullsisë dhe çamët të mos
silleshin në Shqipëri pasi nuk kishte vend ku të sistemoheshin. E vetmja
zgjidhje, thotë Noli, është që çamët të vendosen në tokat e minoritetit
grek në Gjirokastër dhe këta të fundi të shkojnë në Greqi.
Incidenti mbretëror, prill 1939
Greqia ishte i vetmi vend që mund t’i siguronte mbretit Zog një
largim të shpejtë pas pushtimit fashist. Kryeministri Metaksa e pranoi
familjen mbretërore të kalonte në Greqi. Por ndërsa mbreti, mbretëresha
dhe princi niseshin me tren nga Follorina rreth 500 ushtarë hipin në
tren dhe kërkuan çarmatimin e shoqëruesve të mbretit. Në kujtimet e saj,
Mbretëresha Geraldinë shkruan se Greqia kish një plan për ta izoluar
familjen mbretërore në një ishull të Greqisë si garanci për marrëveshjet
që kish me Italinë. Sipas saj vetëm gjendja e rëndë shëndetësore e
princit Leka bërë që grekët të mendoheshin për pasojat që mund t’u
sillte vdekja e një princi në tokën e tyre.
Internimi i burrave çam, 4 gusht 1940
Pas shpërnguljes dhe terrorit ndaj popullsisë çame, grekët për të
evituar protesta ndoqën dhe rrugën e internimeve. Qeveria greke krijoi
komisione që përzgjidhnin popullsinë ku veçonin meshkujt që ishin për
luftë dhe i internuan në ishujt e humbur të detit Egje. Sipas dëshmive,
trajtimi i tyre ishte i njëjtë me atë që nazistët u bënin hebrenjve. Dhe
si për ironi pushtimi gjerman i Greqisë në 6 prill 1941 i liroi çamët e
internuar, por kur u kthyen në fshatrat e tyre nuk kish mbetur askush.
Shqipëria në Luftën Italo-Greke, 1940
Pak e çuditshme, por lufta Italo-Greke ka nisur pas vrasjes së një
shqiptari. Daut Hoxha ishte një nga kapedanët çamë më popullor që
luftonte kundër Greqisë. Për kokën e tij Athina kish vënë 500 mijë
dhrami. Hoxha u vra nga disa patriotë të paguar nga grekët, dhe Italia e
cila kërkonte një shkak e cilësoi këtë si një dhunim të të drejtave
çame. Për Italinë ishte një udhëheqës popullor, ndërsa për Greqinë
“kryetar i një bande plaçkitëse”
Greqia shpall Ligjin e Luftës, 10 nëntor 1940
Gjatë luftës italo-greke, Parlamenti helen miratoi ligjin 2636/1940
ose siç njihet ndryshe Ligji i Luftës me Shqipërinë, për shkak se vendi
ynë u përdor nga Italia për nisjen sulmeve ndaj Greqisë. Më vonë këtij
ligji ju shtuan dhe shumë amendamente që kishin të bënin me pronat e
çamëve, të cilat kapnin vlerën e 350 milionë dollarëve. Ky ligj u
bllokon pronën gjithë personave grekë me kombësi shqiptare, duke
përjashtuar në këtë mënyrë komunitetin çam. Edhe sot ky ligj mban peng
çështjen e çamëve.
Vrasja e Xhaferr Ypit, 17 nëntor 1940
Sulmet greke në territorin shqiptar shkaktuan jo pak viktima mes
civilëve shqiptarë. Më 17 nëntor 1940, gjatë një bombardimi grek në
zonën e Kolonjës, u vra afër fshatit të lindjes, ministri i Drejtësisë
së Shqipërisë, Xhaferr Ypi. Patriotët shqiptarë reaguan, por ushtria
greke nuk mbajti përgjegjësi duke e cilësuar si një incident anësor që
ishte bërë për shkak të keqllogaritjeve të sulmit.
Protesta e shqiptarëve për pushtimin, 28 nëntor 1940
Pas tërheqjes së forcave italiane, ushtria greke fillon të përparojë
në Jug të Shqipërisë, brenda një jave, Korça, Saranda dhe Himara ranë në
duart e ushtrisë greke. Gjeneralët i cilësuan këto zona si greke dhe
filluan ndëshkimin e popullatës vendase. Nacionalistët shqiptarë
organizuan një demonstratë në qytetin e Korçës, ku kërkonin që qeveria
greke të njihte integritetin e Shqipërisë. Demonstrata u përpoq që
ndalohej nga forcat greke. Në çdo qytet forcat greke hoqën flamurin
shqiptar dhe vendosën atë helen.
Shifrat e terrorit çam, 1940
Më shumë sesa incident mund të cilësohet si një luftë. Por nëse në
një anë ishin ushtarët grekë, në krahun tjetër ishin civilë të
pafajshëm. Ushtria greke vrau në Çamëri 4300 njerëz, rezultojnë të
zhdukur 3500 njerëz, u dogjën 102 fshatra, u shkatërruan plotësisht 57
fshatra si dhe 7280 shtëpi. Shumica e njerëzve u ekzekutuan, por pati
masakra kolektive ku fëmijët dhe gratë u therën me thika, u dogjën,
madje dhe veprime makabre si djegie dhe rrjepje të gjallë të njerëzve.
Askush deri më sot nuk ka mbajtur përgjegjësi për krimet. Sipas
zyrtarëve greke, u ekzekutuan bashkëpunëtorët me italianët, që në këtë
rast paskan qenë edhe gra dhe fëmijë.
Masakra e Napolon Zervës, 25 qershor 1944
Napolon Zerva ishte një nga gjeneralët grekë që bashkëpunoi me
pushtuesin gjerman. Këta të fundit i lanë dorë të lirë për masakrat ndaj
popullsisë çame. Në fakt masakrat e tij ndaj popullsisë shqiptare do
t’i kishin zili dhe gjermanët. Në 25 qershor ‘44, forcat e Zervës
ekzekutuan në mënyrë barbare 2000 çamë brenda një nate në qytetin
Paramithia. Viktimat ishin kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët u therën
me thika dhe u dogjën. Kjo ishte një nga masakrat më të egra të grekëve.
Ankesa e grekëve në SHBA, dhjetor 1944
Grekët nuk e njohën qeverinë e Enver Hoxhës me pretendimin se ai
ishte një mysliman që do të persekutonte minoritetin ortodoks në jug të
vendit. Madje, ata shprehën mendimin në qarqet ndërkombëtare që as nuk
duhet të krijohej fare. Në dhjetor të 1944-s grekët iu drejtuan
Departamentit Amerikan të Shtetit, me notë proteste ku pretendohej se
forcat qeveritare shqiptare keqtrajtonin minoritetin grek. Në këtë
mënyrë pala greke po përgatiste territorin për një sulm dhe aneksim të
Vorio Epirit.
Incidentet në Konispol, 1944
Në linjën e mosnjohjes së qeverisë që po krijohej, grekët vazhduan me
një seri sulmesh në jug të vendit edhe pse Lufta e Dytë Botërore nuk
kish përfunduar. Në këtë kohë do të regjistroheshin 58 incidente në
kufirin shqiptaro-grek. Në 1 shtator, artileria greke e vendosur goditi
Konispolin. Territori shqiptar u shkel në disa pika duke u shoqëruar me
goditje të armatosura dhe reprezalje ndaj popullsisë civile.
Ministri grek: Të rrëzohet Hoxha, Uashington, 9 korrik 1945
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Andreas Sofianopulos, do ta shtronte
çështjen e Vorio Epirit edhe në takimin që pati me Sekretarin e Shtetit
në SHBA, Grew, në vitin 1946. Veç kësaj përfaqësuesi i qeverisë greke
edhe këtë herë gjatë bisedës për synimet territoriale të shtetit të tij,
nuk harroi të paraqesë edhe kërkesën për mosnjohjen nga SHBA-ja të
regjimit të Hoxhës, pasi sipas tij udhëheqësi komunist shqiptar nuk
përfaqësonte shumicën e popullit.
Greqia kërkon kufijtë, Paris 1946
Përveç incidenteve, Greqia në përfundim të Luftës së Dytë Botërore u
përpoq ta shtronte çështjen e Vorio Epirit dhe në qarqet diplomatike.
Duke shpresuar në ndihmën e SHBA-së e anglezëve, diplomatët grekë u
përpoqën ta ngrinin dhe shtronin për diskutim këtë çështje. Ndërkohë që
ndërkombëtarët nuk kishin kohë të merreshin me ndarje te reja në
Ballkan, duke u përqendruar më shumë në zgjerimin që po bënin shtetet
komuniste në Evropë. Ndërkohë Greqia u kërkoi ndërkombëtarëve marrjen e
masave për ndërhyrjet, që sipas saj, po bënte Shqipëria në punët e
brendshme të Athinës.
Greqia kundër pranimit të Shqipërisë në OKB, 12 shkurt 1946
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kërkoi nga
Organizata e Kombeve të Bashkuara anëtarësimin si anëtare me të drejta
të plota. Përveç mbështetjes që qeveria jonë kishte nga shtetet
komuniste dhe linjës jo të qartë në diplomaci, edhe faktori grek luajti
kartën kundër hyrjes së Shqipërisë. Në 12 shkurt ministri i Jashtëm grek
dërgon një letër në OKB, ku argumentonte se çështja e Shqipërisë nuk
duhet të diskutohet, pasi Greqia është ende në gjendje lufte me të dhe
Shqipëria nuk ka plotësuar të drejtat e minoritetit.
Sulmi në Radat, gusht 1946
Në 1946-n nisin dhe planet ushtarake të Greqisë për pushtimin e Vorio
Epirit. Një nga sulmet më të rënda gjatë këtij viti ishte ai i 200
ushtarëve, të cilët kaluan kufirin shqiptar dhe hynë në fshatin Radat.
Sulmi u bë me mitraloza dhe murtaja, ku ngelën të vrarë shumë civilë.
Kjo ishte seria e një sërë sulmesh që forcat greke kishin planifikuar në
gjithë shtrirjen e territorit greko-shqiptar. Në ato kohë ushtria
shqiptare nuk ishte organizuar në nivelet e duhura.
Greqia, nuk njeh luftën shqiptare, 1946
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë pas mbarimit të Luftës së
Dytë Botërore kanë qenë mjaft të tensionuara. Shteti grek i cilësonte
shqiptarët si njerëzit që bashkëpunonin me Italinë në luftën
italo-greke. Ndërkohë që shqiptarët u përpoqën të çliroheshin vetë nga
Italia. Po ashtu nuk ishin dakord që Shqipëria të renditej në
koalicionin fitues të Luftës së Dytë Botërore dhe e kërkuan këtë
publikisht.
Propaganda e zyrtarëve grekë, 20 shkurt 1948
Veç sulmeve sporadike qarqet greke u përpoqën që të përgatisnin edhe
opinionin e lëkundur për çështjen e Vorio Epirit. Një zyrtar grek
deklaronte në 1948-n, në radion e Athinës se, “Tani duhet të mbarojmë
punë me Shqipërinë. Greqia tani duhet të luftojë me të gjitha mjetet,
gjer në frymën e fundit. Sinjali u dha tani në Epir, ku ushtarët tanë
janë duke luftuar me parullat, Morava, Korça, Delvina, Saranda,
Gjirokastra të “Vorio-Epirit” ende të paçliruara. Duhet të mbarojmë
hesapet me Shqipërinë”.
Propaganda për pushtimin e Shqipërisë, 1949
Lufta civile në Greqi solli jo pak probleme dhe për Shqipërinë.
Qeveria greke akuzonte shtetin shqiptar se po ndihmonte partizanët
kundër ushtrisë demokratike greke. Gjatë kësaj kohe janë hedhur parulla,
libra e broshura të ndryshme që bënin thirrje kundër qeverisë
shqiptare. Robërit grekë pranojnë se komandantët bënin propagandë
anti-shqiptare, duke përmendur Vorio Epirin dhe krijonin mes radhëve të
ushtarëve psikozën e një sulmi të shpejtë kundër territorit shqiptar.
Ushtria shqiptare shtoi forcat e saj në kufirin greko-shqiptar.
Robërit grekë në Shqipëri, 1949
Një skuadër e ushtrisë greke hyri në territorin shqiptar. Forcat
shqiptare pas një shkëmbimi zjarri arritën të kapin rob disa ushtarë dhe
oficerin grek Skuros Dhimitris, i cili kishte hyrë 300 metra në
territorin tonë. Oficeri grek dha informacionin për planet e Greqisë. Ai
tregoi se kishte marrë urdhra për të goditur me armë kundër rojeve
shqiptare. Ai pranoi se ushtria greke duhet të jetë gati për të hyrë në
tokat shqiptare për të shfarosur komunistët dhe më pas të merrej Vorio
Epiri.
7 orë luftë në Vidohovë-Devoll, 2 gusht 1949
Artileria greke qëllon me armën në tokat shqiptare dhe predhat bien
300-500 metra në tokën tonë. Forcat greke nisin dhe një sulm ajror duke
angazhuar 3 batalione. Në postën shqiptare ishte vetëm një skuadër e
armatosur me automatikë dhe mitraloza. Forcat greke vranë ushtarët Tafil
Ferhati, Memo Nexhipi, Ferid Bregasi, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu,
Hasan Ramadani dhe u plagosën 6 të tjerë. Vetëm pasditen e 2 gushtit
ushtria shqiptare arriti të zmbrapsë atë greke, e cila kish hyrë në
territorin tonë. Nga ana e grekëve u vranë 100 ushtarë dhe u kapën rob
3.
Kërcënimi i gjeneralit grek, Aleksandër Papagos, 3 gusht 1949
Qëllimet greke për Vorio Epirin nuk ishin vetëm fantazi e qarqeve të
veçanta, por edhe e zyrtarëve të lartë të cilët jepnin vazhdimisht
deklarata anti-shqiptare. Ish-ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Papagos,
deklaroi në Athinë se pas shkatërrimit të Andarteve, ”Pastaj do t’i biem
Shqipërisë”. Kjo ishte dhe deklarata më e rëndë e lëshuar nga një
gjeneral lufte, së cilës qeveria shqiptare iu përgjigj me një notë
proteste.
Incidenti i Leskovikut, 4 gusht 1949
Pas Vidohovës, ushtria greke i shtriu sulmet në pjesët e tjera të
kufirit. Sulme sporadike u regjistruan në sektorin e Bozhigradit dhe në
drejtim të Leskovikut, në afërsi të piramidave Nr. 11, 12, 13 dhe 14.
Grekët të mbështetur nga artileria dhe aviacioni, me forca të shumta
sulmuan kuotat 1425 dhe 309. Kundërsulmet e forcave kufitare shqiptare i
zmbrapsën grekët. Në këtë kohë ushtria greke filloi përdorimin e
predhave të kalibër të lartë, të cilat lëshoheshin nga pikë larg
kufirit, si dhe përdori avionët gjuajtës.
Bombardimi i Menkulasit, 5 gusht 1949
Vetëm gjatë dy ditëve, në gushtin e 1949-s ushtria greke ka hedhur më
shumë sesa 1500 predha artilerie. Në komunikatën e Ministrisë së
Mbrojtjes shqiptare thuhej se një pjesë e mirë e këtij municioni ka rënë
në fshatin Menkulas (Devoll). I ndodhur në këto kushte, shteti shqiptar
mori vendimin për mobilizimin e ushtrisë në gjithë kufirin jugor. Masat
e marra për këtë mbrojtje në një urdhër të lëshuar nga Enver Hoxha “Mbi
moslejimin e kalimit të forcave monarko-fashiste në tokën Shqiptare”.
Beteja e Vidohovës, 7 gusht 1949
Vidohova u shndërrua në një arenë të përplasjes shqiptaro-greke. Në
piramidën I-55 trupat ushtarake greke kishin mundur të mblidheshin në
territorin shqiptar dhe zhvilluan një betejë të ashpër me ato shqiptare,
të përbëra nga një togë dhe një nënrepart i ushtrisë popullore. Ishte
një betejë frontale ku forcat greke kishin zënë pikat kyçe. Brenda një
dite forcat shqiptare arritën të merrnin pikat e zëna në kufirin
shqiptar, po nuk mundën t’i mbanin dot deri në mbrëmje. Vetëm një ditë
më vonë forcat shqiptare arritën të largonin togën greke.
Rrëzimi i avionit grek, gusht 1949
Përveç forcave tokësore, ushtria greke përdori dhe aviacionin. Një
aeroplan ngrihej nga Korfuzi, duke depërtuar në zonën shqiptare për të
bërë zbulim. Me gjithë mungesën e armëve kundërajrore, ushtria shqiptare
arriti që me anë të një trekëndëshi me armë të lehta të vendosura në
Çukë, Manastir, Ksamil ta detyronte të largohej atë. Në njoftimin
Ministrisë së Mbrojtjes së asaj kohe raportohet se aeroplani u rrëzua në
fushën e Finiqit dhe piloti u kap rob.
Sulmi grek i 12 gushtit 1949
Përreth gjashtë orë në mëngjesin e 12 gushtit forcat greke dhe ato
shqiptare kanë zhvilluar një luftë të vërtetë në zonën e Gurit-Bilisht.
Një brigadë e mbështetur nga artileria dhe katër aeroplanë të tipit
“Spitfire” sulmojnë tokën shqiptare në drejtim të Bilishtit, ku arrijnë
të zmbrapsin rojën kufitare. Luftimet u zhvilluan në afërsi të postës
kufitare, ku repartet e ushtrisë shqiptare i thyen forcat greke me
gjithë armët moderne që kishin. Ushtria greke kishte në përdorim 36
gryka zjarri të artilerisë, madje u përdorën dhe predha me napalm që
digjnin çdo gjë përreth.
Vrasja e komisarit Nasi Remaçka, 13 gusht 1949
Mëngjesin e 13 gushtit forcat greke prej dy brigadash, të mbështetura
nga artileria, kaluan kufirin shqiptar në piramidën I-33, sektori i
Bilishtit. Qëllimi ishte që të përqendroheshin në Malin e Palikut nga ku
mund të sulmonin Bilishtin. Në këtë betejë u vra komisari i batalionit
të kufirit Bilisht, Nasi Remaçka, së bashku me korrierin e tij, Dane
Zeneli. Ndërkohë robërit grekë deklaronin se në betejën e një dite më
parë kishin tërhequr 50 ushtarë grek të vrarë, ndërkohë që atë ditë u
vranë 26 ushtarë grekë.
Vrasjet e civilëve, 14 gusht 1949
Mëngjesin e 14 gushtit forcat greke nisin një tjetër ofensivë.
Brigada e 41-të, e mbështetur me një regjiment artilerie dhe një
skuadrilje aeroplanësh “Spitfirë”, vazhduan sulmet e tyre kundër
Shqipërisë. Në këtë ditë grekët hodhën më shumë se 2.000 predha
artilerie në tokën shqiptare në katundet Trestenik, Kapshticë e
Cangonj-Devoll si dhe në qytetin e Bilishtit. Nga goditjet e artilerisë
mbetën 5 civilë të vrarë dhe u shkaktuan dëme materiale në disa shtëpi
të katundeve të mësipërme.
Bilanci i një lufte të pashpallur, gusht 1949
Në bazë të komunikatave të Ministrisë Mbrojtjes në vitet 1950, nga
rreth 49 provokacionet e ushtrisë greke në kufirin jugor të Shqipërisë
mbetën vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë tonë. Por duke
llogaritur dhe dëmet që u shkaktuan në civilë të paarmatosur, kjo shifër
duhet të ketë qenë më e lartë. Ndërkohë që në komunikatë thuhet se në
bazë të dëshmive të mbledhura nga robërit e luftës, forcat tona i kanë
shkaktuar ushtrisë greke mbi 300 të vrarë dhe 500 të plagosur, ndërsa
270 të tjerë u kapën robër.
Tanket greke në kufirin shqiptar, 1949
Arsyetimi grek ishte se në tokat shqiptare fshiheshin partizanët që
sulmonin qeverinë greke. Në “incidentet” në kufi u vunë në përdorim të
gjitha armët. Në sulmin e 25 gushtit forcat greke sulmuan me avion
artileri dhe 3 tanke. Sipas komunikatës operative të Ministrisë së
Mbrojtjes, ky ka qenë një nga sulmet më të mirë organizuar nga ushtria
greke, por që u arrit të ndalej nga pala jonë dhe ushtria greke u
zmbraps në tokën e saj.
Shërbimet sekrete greke, gjyqi i Bozhigradit, 1950
Përveç incidenteve, shërbimet greke filluan dhe infiltrimin e
agjentëve sekretë në territoret shqiptare. Në fshatin Bozhigrad, sot
Miras, Korçë u zhvillua gjyqi kundër disa të të ashtuquajturve agjentë,
megjithëse ky gjyq u shndërrua në një “shou” popullor, ku askush nuk
mund të vërtetonte implikimin e banorëve. U cilësuan si agjentë grekë
Qazim Sina, Qani Seskollari dhe Myslim Biskallari, sepse kishin hyrë në
tokën tonë dhe zhvilluan aktivitet spiunazhi. Madje ata u akuzuan dhe
për një plan për të vrarë kolonelin Petrit Dume.
Krijimi i organizatës antishqiptare MAVI
Në linjën e spiunazhit, gjenerali grek, Vasil Mellaj, rekruton një
sërë minoritarësh shqiptarë dhe krijon organizatën anti-shqiptare “MAVI”
(Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit). Sipas ish-oficerit të Sigurimit
Bekim Budo, minoritarët Spiridhon Vllahoni, Pandelejmon Kotokoni, Vasil
Shahini dhe Jani Diamanti ishin themeluesit e organizatës. Qëllimi ishte
riaktivizimi i shërbimeve greke për çështjen e Vorio Epirit në kushtet e
një Shqipërie ku sundonte regjimi komunist.
Rrëmbimi i postës në Pogon, 18 shkurt 1950
Provokacionet dhe sulmet sporadike vazhduan edhe gjatë vitit 1950. Në
18 shkurt një grup ushtarësh grekë në zonën e postës së Sopikut u futën
600 metra në tokën shqiptare dhe i bënë pritë njësitit të shërbimit të
postës që shkonte në pikën e vrojtimit. Në këtë incident mbeti i vrarë
ushtari Bendo Buzo, ndërsa një ushtar tjetër u zu rob nga grekët. Pas
ardhjes së përforcimeve nga repartet shqiptare njësiti grek u largua.
Incidenti në malin e Gramozit, 24 maj 1950
Provokacioni i 24 majit ishte një nga më agresivët e atyre viteve.
Një batalion grek i përforcuar me artileri kërkoi të merrte majën e
Çukapecit nga ku mund të kontrollonte territorin e Ersekës. Reparti
shqiptar dispononte vetëm 50 forca me armatim të lehtë. Ushtarët grekë u
futën deri në 150 metra në territorin tonë. Pas një luftimi disa orësh
forcat greke u tërhoqën duke lënë 6 të vrarë dhe 7 të plagosur, ndërkohë
që pati humbje dhe në bazën materiale.
Memorandumi i Ministrisë së Jashtme greke, 7 gusht 1952
Në arkivat e Departamentit Amerikan të Shtetit gjendet një dokument i
qeverisë greke, ku parashtrohet ndarja e Shqipërisë. Dokumenti është
hartuar në vitin 1952 nga Ministria e Jashtme greke. Plani ishte që,
Greqia të merrte “ok” për të rrëzuar regjimin komunist dhe më tej
synohej ndarja e Shqipërisë. Pjesa e jugut deri në Shkumbin, sipas
“Megali Idesë” (e hedhur nga ministri grek Venizellos që në vitin 1919),
i takonte Greqisë, ndërsa veriu Jugosllavisë. Varianti tjetër ishte një
protektorat ndërkombëtar mbi Shqipërinë.
Përplasja Tiranë-Athinë për Ligjin e Luftës, 1955
Shteti shqiptar me anë të kanaleve të ndryshme diplomatike kërkon nga
qeveria greke shfuqizimin e Ligjit të Luftës. Kërkesa u bë dhe
publikisht në gazetën ”Zëri i Popullit” të atij vitit. Ndërkohë nga
qeveria e Athinës përgjigjja ishte se për këtë gjë duhet të vendoste
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Greke. Një përgjigje që fare mirë mund
të merrej si një provokim i hapur. Në këtë kohë masat në kufirin
greko-shqiptar u shtuan më shumë sesa zakonisht.
Agjenti “Papastrati”, 1971
Në vitet 1971, në duart e Shërbimeve Sekrete Shqiptare do të binte
një agjent grek që kishte luajtur rolin kryesor në çështjen e Vorio
Epirit. Sipas dëshmive të njerëzve të Shërbimit Shqiptar, agjenti me
emrin “Papastrati”, i cili ishte një shqiptar me orgjinë greke, ka
zbuluar një pjesë të planeve sesi vepronte organizata greke
antishqiptare për “Çlirimin” e Vorio Epirit.
Fondi i Ministrisë së Jashtme greke për shqiptarët, Athinë 1980
Thirrjet anti-shqiptare nuk kanë qenë sporadike. Shpeshherë mediat
greke e kanë demonizuar faktorin shqiptar për çështjen e Epirit. Sekreti
i zbulohet vite më parë nga kryeministri grek Kostandin Miçotaqis.
Sipas tij, në Ministrinë Jashtme të Greqisë ekziston një fond special që
u shpërndahet mediave për të ndryshuar raportimin e lajmeve mbi
realitetin shqiptar. Ky fond veç parave shpërndante dhe lajme për mediat
në lidhje me synimet e Shqipërisë së Madhe.
Parlamenti grek lë në fuqi Ligjin e Luftës, 1987
Qeveria e Papandreut kërkon që të nxjerrë jashtë përdorimit Ligjin e
Luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por kjo nismë që mund të kish shkrirë
akujt mes dy vendeve nuk u pranua nga Parlamenti helen. Presidenti i
asaj kohe deklaron se edhe nëse ky ligj abrogohet nga Parlamenti,
Presidenti nuk ka asnjë ndikim mbi të pasi ai është dekretuar nga mbreti
dhe Presidenti i Republikës është një autoritet shumë i ndryshëm nga ai
i mbretit.
Ramiz Alia, 1991
Një intervistë e Presidentit të asaj kohe, Ramiz Alia, u bë shkak i
një serie deklaratash dhe notash protestash mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Një grup gazetarësh grekë pyetën Presidentin shqiptar në lidhje me
çështjen e pakicave kombëtare, kryesisht për ato greke në jug të vendit.
Alia u kujtoi gazetarëve se ka dhe pakica shqiptare në Janinë dhe
Çamëri, të drejta e të cilave nuk janë zbatuar dhe nga një shtet
demokratik si Greqia. Ministria e Jashtme greke e cilësoi këtë si një
provokacion.
Incidenti me priftin grek, Tiranë, 28 qershor 1993
Në vitet pas diktaturës ky mbahet mend dhe si fillimi i incidenteve
të rënda me Greqinë. Prifti grek Kristostomu Maidonis u shpall persona
“non grata” dhe u dëbua nga Shqipëria. Sipas autoriteteve shqiptare,
shkak ishte propaganda antikombëtare që bëri ky prift në Gjirokastër,
duke shpërndarë në kishat ortodokse shqiptare harta të Vorio-Epirit, ku
Jugu i Republikës së Shqipërisë paraqitej si Greqi. Athina reagoi ashpër
duke akuzuar direkt Presidentin Berisha për këtë incident.
Plani i Miçotaqisit, Athinë, 14 korrik 1993
Kryeministri grek, Kostandin Miçotaqis, paraqet një plan për jugun e
Shqipërisë të përbërë nga 6 pika. Plani ishte hartuar nga këshilltari i
tij, Nikolas Gejxh. Në dokument kërkohej që Shqipëria të përmbushte të
drejtat e grekëve etnikë me banim në Shqipëri, të pranonte rikthimin pa
kushte të priftit, të hapte shkolla greke në Shqipëri edhe jo vetëm në
zonën minoritare, të regjistronte popullsinë si Epiri, të merrte të
njëjtin status që do të merrte Kosova.
Projektkushtetuta, Tiranë 1994
Një nen i Projektkushtetutës së propozuar në vitin 1994 u bë shkak që
marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës të ftoheshin më tepër.
Projektkushtetuta përjashtonte mundësinë e zgjedhjes në krye të kishës
shqiptare të një peshkopi, i cili nuk kishte nënshtetësinë shqiptare.
Kjo gjë nuk u pëlqye nga kisha greke që kishte emëruar në Shqipëri
kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili nuk kishte nënshtetësinë
shqiptare. Kjo bëri që Tirana të merrte shumë kritika nga fqinjët.
Masakra e Peshkëpisë, Gjirokastër, 10 prill 1994
Më 10 prill, në orën 02:40 një komando greke prej 8 personash me
uniforma të ushtrisë greke hynë në territorin shqiptar, në afërsi të
fshatit Peshkëpi pranë një reparti ushtarak. Komandoja vret në befasi
ushtarin Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Shehu dhe plagos tre shqiptarë.
“Këto i keni për Vorio Epirin”, kanë thirrur ndërsa gjuanin. Gazeta
“Elefterotipia” publikon lajmin se vrasja është marrë përsipër nga grupi
terrorist “MAVI” (Fronti për Çlirimin e Epirit”. Po ashtu gazeta
shkruan se ky grup financohet nga Nikolas Gejxh.
Greqia bllokon 35 milionë eku, qershor 1994
Maskara e 10 prillit solli dhe reagimin e shtetit shqiptar. Me anë të
një note proteste, qeveria kërkoi gjetjen e autorëve. Ndërkohë u bënë
akuza dhe ndaj zyrtarëve të shtetit grek. Por përgjigjja e Athinës këtë
herë ishte më pak diplomatike. Ajo ndërpreu dhënien e fondit prej 35
milionë eku që Bashkimi Evropian i kish akorduar për Shqipërinë. Ky
ishte një rast tjetër ku incidentet pasoheshin nga kriza dhe incidente
të tjerë.
Berisha dhe incidenti i Bostonit, 17 shtator 1994
Vizita e parë e Presidentit Berisha në SHBA u pasua me një incident
për çështjen e Vorio Epirit. Rektori i Universitetit të Bostonit i ofroi
Berishës një medalje në shenjë mirënjohjeje, por me kusht që të mbante
një fjalim, ku të premtonte hapjen e shkollave për minoritetin grek.
Berisha nuk pranoi dhe rektori i universitetit nuk i jep dhuratën në
shenje proteste për diskriminimin që i bëhej minoritetit grek në
Shqipërinë e Jugut. Greqia e shfrytëzoi këtë gjë në raportet e saj për
Shqipërinë.
Berisha-Gejxh, Boston, 19 shtator 1994
Edhe këtë herë incidenti mes Presidentit Berisha dhe një prej
ideatorëve të lëvizjes së Vorio Epirit u zhvillua në SHBA. Berisha dhe
Gejxh ndodheshin në një pritje zyrtare, ku pas fjalës së Berishës, Gejxh
hodhi poshtë të gjitha arritjet demokratike që përmendi Presidenti.
Gejxh nuk harroi të përmendë dhe respektimin e të drejtave të
minoritetit. Por Presidenti ngrihet sërish dhe flet për numrin e
studentëve minoritarë dhe shkollat që janë hapur nga qeveria.
Arrestimi i të pestëve, shtator 1994
Arrestimi i pesë krerëve të njohur të organizatës minoritare “Omonia”
acaroi më tepër marrëdhëniet greko-shqiptare. Akuza që u ngrit ndaj
tyre ishte për spiunazh në favor të Greqisë. Për këtë çështje ndërhyri
dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, ku kritikoi ashpër qëndrimin e
Shqipërisë ndaj çështjes minoritare. Gjyqi që u bë ndaj tyre bëri që
marrëdhëniet mes Greqisë, Kishës Ortodokse dhe Shqipërisë të njihnin dhe
periudhat më të acarta. Pas shumë presionesh të ndërkombëtarëve,
Gjykata Kushtetuese i liroi ata në vitin 1995.
Anulimi i Trojkës Evropiane, Athinë, dhjetor 1994
Departamenti Amerikan i Shtetit nuk kish arritur ta bindte qeverinë
shqiptare për lirimin e pesë të akuzuarave për spiunazh. Atëherë
Këshilli i Evropës vendosi të caktojë një grup pune për të shmangur
përkeqësimin e situatës mes Greqisë dhe Shqipërisë. Pas takimit me palën
greke në Athinë, shteti helen nuk lejoi që Evropa të hynte në bisedime
me palën shqiptare për këtë çështje.
Operacionet fshesa, 1995
Pas viteve 1990, në Greqi emigruan rreth 400 mijë emigrantë ku pjesa
më e madhe është pa leje qëndrimi. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës
zyrtare kanë bërë që mëritë diplomatike zbrazen te këta mijëra qytetarë
shqiptare. Operacionet fshesa janë arrestime në masë të policisë greke
disa herë në dhjetëra mijëra dhe kthimi i tyre në Shqipëri. Në vitet
‘94-‘95 pati rreth 4 operacione të tilla ku shqiptarët trajtoheshin në
kushte çnjerëzore.
Vrasja e tre ushtarëve grekë, 1995
Një post kufitare grek ndalon në maj të vitit ‘95 një grup
shqiptarësh që kalonin kufirin, mes tyre dhe një çift nga qyteti i
Shkodrës. Ushtarët grekë përdhunojnë në grup para syve të shqiptarit,
gruan e tij dhe tallen me të. Tre ditë më pas, i riu shkodran shkon te
posta i armatosur dhe vret tre prej ushtarëve. Mediat greke e pasqyruan
aktin e shkodranit si terrorist, ndërkohë që dy ditë më pas policia
arrestoi rreth 8 mijë shqiptarë dhe i nisi drejt kufirit të Kakavijës.
Deklarata Panhelenike, SHBA, qershor 1995
Kongresi i 29-të i Organizatës Panhelenike të Shteteve të Bashkuara,
Kanadasë dhe Australisë i kushtoi një rëndësi të veçantë çështjes së
Vorio Epirit. Në deklaratën e këtij kongresi organizata shprehej se,
“qeveria shqiptare duhet të ndalonte diferencimin që kish filluar në dëm
të shtetasve grekë autoktonë”. Gjithashtu deklarata i kërkonte SHBA-së
të ndërhynin për të zgjidhur situatën me Shqipërinë.
Gejxh, “non grata” në Shqipëri, 1995
Publicisti greko-amerikan Nicolas Gejxh, i njohur si një mbështetës i
çështjes së Vorio Epirit, kërkon të hyjë në Shqipëri së bashku me një
deputet amerikan, Tom Lantosh. Pas kërkesës që i bënë Ministrisë
Jashtme, kjo e fundit kthen përgjigje se Gejxh është person “non grata”
në vendin tonë. Ai ishte një nga të dyshuarit për organizimin e masakrës
së Peshkëpisë. Ministria i bëri të ditur se në rast se do të hynte në
kufi, ai do të arrestohej.
Deklarata e zyrtarit grek, gazeta To Paron”, Athinë, 27 shtator 1995
Një nga gazetat më të mëdha greke, në një artikull të saj citon një
zyrtar të lartë grek për çështjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Sipas
zyrtarit, “Kryepeshkopi Janullatoas duhet të qëndrojë në Shqipëri, pasi
homogjenet e Shqipërisë kanë më shumë nevojë për të, si i vetmi mbrojtës
i tyre dhe i pazëvendësueshëm për kishën shqiptare. Nëse ai qëndron me
gjithë sulmet që shteti shqiptar u bën minoritarëve ata do të jenë të
sigurt”.
Ngritja e flamurit në Himarë, 23 shkurt 1997
Kur ende shteti nuk kish rënë gjatë 1997, në Himarë edhe pse një zonë
jo shumë e dëmtuar nga fenomeni i fajdeve persona të panjohur ngritën
në qendër të qytetit flamurin grek. Sipas raporteve të policisë së asaj
kohe, flamuri ishte ngritur nga persona të paidentifikuar. Ndërkohë që
shteti grek e shoqatat e minoritarëve deklaruan se nuk kishin asnjë
lidhej më këtë akt, por ai është ngritur nga banorët e zonës.
Zgjedhjet parlamentare 1996
Faktori ndërkombëtar nuk i cilësoi si të rregullta zgjedhjet e vitit
1996. Presidenti Berisha akuzoi publikisht për këtë çështje në forumin
ndërkombëtar ekonomik të “Crans Montanës”, faktorin grek. Ai përmendi
emrin e Gejxh dhe të tjerë, duke i akuzuar si destabilizues të rajonit.
Ministria greke protestoi duke i kujtuar sërish Berishës çështjen e 5 të
burgosurve minoritarë.
Trakte antishqiptare në Jug, 1997
Në ditët kur shteti nuk ekzistonte më në Jug, për ditë e ditë me
radhë avionë civilë të ardhur nga Greqia hidhnin trakte mbi qytetet e
Jugut me përmbajtje antishqiptare. “Vorio Epiri është grek”. “Grekët e
Shqipërisë të bashkohen me Greqinë”. Shteti grek i asaj kohe u shpreh se
nuk kishte asnjë lidhje me organizata të tilla dhe shërbimet
inteligjente nuk kanë pasur asnjë mision të tillë.
Zv.ministri grek në Shqipëri, 17 mars 1997
Në protokollin e çdo shteti, një anëtar kabineti duhet të lajmërojë
ardhjen e tij në një shtet tjetër zyrtarisht. Por kjo nuk ndodhi me
zëvendësministrin e Jashtëm grek, Janis Kranidiotis. Duke thyer
rregullat diplomatike, zyrtari grek kaloi kufirin dhe hyri në Shqipëri,
ku u takua me Komitetet e Shpëtimit në Gjirokastër. Qeveria greke nuk
dha asnjë shpjegim për këtë ngjarje, ndërkohë vetë zëvendësministri
humbi jetën në një incident ajror pak muaj më pas.
Thirrjet anti-shqiptare, gazeta “Stohos”, 05 mars 1997
Sipas gazetës greke, “Stohos”, “oficerë vorioepirotë” drejtojnë
kryengritësit e Kiço Mustaqit, ish-ministër i Mbrojtjes. Shpallet
autonomia, në Himarë e Tepelenë ngrihet flamuri grek. Shtabi i andartëve
të Epirit bën thirrje: “Tani autonomi, mos na tradhtoni prapë. Treqind
të rinj nisen nga Athina për në Sarandë, gati ushtria jonë të ndërhyjë.
Oficerët tanë vorioepirotë, dikur nën armë në ushtrinë shqiptare tani po
e marrin situatën në dorë”.
Flamuri i Vorio Epirit, televizioni “Mega”, 5 mars 1997
Gazetarët grekë jepnin pamje në televizionet më të ndjekura, ku grupe
të armatosura në Jug, sipas tyre, ngritën për herë të parë flamurin e
Vorio Epirit. “Kriza aktuale në Shqipëri është përqendruar në Jug, ku
popullsia është greqishtfolëse. Ata kërkojnë ndarjen e pjesës se Jugut
nga pjesa tjetër e vendit, duke filluar nga Tepelena dhe duke shpallur
kështu edhe autonominë e Jugut të Shqipërisë”.
Organizata greke, “Të mbrojmë trojet tona”, mars 1997
Në mars të 1997-s, një nga organizatat greke për çlirimin e Vorio
Epirit bënë thirrje publike për marshimin drejt Shqipërisë. “Situata e
vështirë në të cilën ndodhet Epiri i Veriut, iu bën thirrje të gjithë
epirotëve të Veriut të kthehen në “vatrat” e tyre për të mbrojtur pronat
e vendin e tyre. Në këtë moment të vështirë vetë epirotët duhet të
marrin përgjegjësinë e fatin në duart e tyre”.
Faktori grek, Corriere della Sera, Romë, 12 mars 1997
Për opinionin italian, ajo që po ndodhte në Shqipëri në 1997-n kishte
lidhje me çështjen e Vorio Epirit. Gazeta “Corriere Della Sera” shkruan
se, trazirat në Shqipëri janë koordinuar nga avokati i njohur grek,
Aleksandros Lykourezos. Sipas gazetës, përfshirja e këtij personi në
Shqipëri mund të shkaktonte rreziqe të paparashikuara për vendin. Kjo
pasi gazeta ishte e informuar se avokati ishte një nga udhëheqësit e
Lëvizjes për Çlirimin e Vorio Epirit.
Incidenti në Vidohovë, 11 gusht 1997
Edhe pas 48 vitesh në kufirin e Vidohovës janë regjistruar incidente
të tjera mes ushtrisë shqiptare dhe asaj greke. Më 11 gusht, dy ushtarë
grekë kalojnë kufirin hyjnë në thellësi të tokës shqiptare, ku në këtë
zonë vranë shtetasin civil Agim Xhihani. Pala shqiptare protestoi duke i
çuar një notë proteste ministrisë greke. U ngrit një grup i përbashkët
për të nxjerrë shkaqet e incidentit, por deri më sot askush nuk ka
nxjerrë shkaqet që çuan ushtarët grekë në vrasjen e një civili të
pafajshëm, për më tepër në tokën shqiptare.
Tentativë rrëmbimi në kufirin grek, 25 gusht 1997
Pas ngjarjeve të marsit 1997, në kufi forcat greke shtojnë patrullat e
shërbimit për të ndaluar kalimin armëve dhe trafiqeve të drogës që
vinin nga Shqipëria. Por pati dhe raste kur ushtarët grekë vranë dhe
sulmuan të pafajshëm. Kështu, më 25 gusht ‘97, tre ushtarë grekë hynë në
territorin shqiptar dhe tentuan të rrëmbenin një vajzë në pikën
kufitare të Gurit në Tresenik. Vetëm ndërhyrja e banorëve arriti të
eliminojë rrëmbimin, ndërkohë që në një përplasje me banorët e armatosur
ngeli i plagosur shtetasi shqiptar Rezart Medolli.
Pengmarrja e autobusit, 28 maj 1999
Rrëmbimi i një autobusi nga një shqiptar u kthye në një incident
diplomatik mes dy vendeve. Flamur Plisi, 25 vjeç, zgjodhi rrëmbimin e 8
personave në autobusin e linjës Tiranë-Athinë për të protestuar ndaj
indiferencës së shtetit Shqiptar dhe trajtimit të shtetit grek për
emigrantët. Plisi kërkonte dënimin e një polici grek i cili nuk i kishte
dhënë para për punën që i kish bërë. Plisi u vra nga policia shqiptare
në dalje të Elbasanit dhe aksidentalisht policia vrau dhe një peng grek
në autobus.
Pengmarrja e Aleksandër Nanas, 15 korrik 1999
Aleksandër Nana ishte shqiptari i dytë që kreu pengmarrje në shenjë
proteste ndaj shtetit grek vetëm 5 javë pas tentativës së Flamur Plisit.
Nana rrëmbeu një autobus në Selanik me 40 persona dhe kërkoi një shumë
të majme parash. Ai pretendonte se policia greke i kishte grisur
dokumentet pa të drejtë dhe ai nuk mund të merrte më paratë në një bankë
të Athinës. Por ndryshe nga Pisli, ai u qëllua nga një snajper grek pak
pasi i kishin dorëzuar paratë.
Hakmarrje greke me pengmarrje, 16 korrik 1999
Në shenjë proteste ndaj pengmarrjeve të përsëritura të shqiptarëve
vendos të reagojë dhe nacionalizmi grek. Greku Andres Kalyvas, nga
Patra, hyn i armatosur në një autobus me shqiptarë dhe merr peng 38
pasagjerët. Pas disa orë bisedimesh, ai vendos të lëshojë pjesën më të
madhe të pengjeve dhe mban aty vetëm shoferin e fatorinon, si dhe një
emigrant. Disa orë më vonë ai dorëzohet dhe pohon në rajonin e policisë
se kishte kryer këtë veprim në shenjë hakmarrjeje, pas pengmarrjes së
grekëve.
Policia greke qëllon në territorin shqiptar, 6 korrik 2001
Një skaf i policisë greke diktoi dhe qëllon me armë një skaf shqiptar
që lëvizte në ujërat territoriale shqiptare. Pas goditjeve të para
përgjigjen me zjarr dhe drejtuesit e skafit shqiptar. Më pas në
minibetejën ujore është bashkuar dhe roja territoriale shqiptare, ku për
10 minuta është zhvilluar një betejë e vërtetë. Zyrtarët grekë
deklaruan se, “ishte thjesht një stërvitje nate e rojeve tona”.
Zgjedhjet në Himarë, Tetor 2000
Një nga incidentet ku kanë marrë pjesë ligjvënësit grekë është dhe ai
i zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit 2000 në Himarë. Deputetët
kanë ushtruar presion propagandistik mbi votuesit, kanë hyrë nëpër
qendra votimi, kanë organizuar protesta përballë kamerave të
televizionit grek te ardhura enkas në ditën e votimit, kanë premtuar
viza në këmbim të votave për kandidatin e PBDNJ-së. Shteti shqiptar
reagoi duke miratuar një rezolutë për këto shkelje kushtetuese.
Vrasja e Gentian Çelnikut, Athinë 2002
I riu shqiptar Gentian Çelniku ka qenë duke pirë një kafe në një nga
baret e Athinës pas një ditë të lodhshme pune. Por kontrolli i një
skuadre të policisë greke ka bërë që për Çelnikun kjo të ishte dhe dita e
fundit e jetës. Oficeri i policisë greke, Joanis Rizopolos, nuk ka
hezituat ta qëllojë me pistoletë Çelnikun duke i shkaktuar atij vdekjen e
menjëhershme. Çudia ka qenë se vetë vrasësi më pas ka marrë pjesë në
këqyrjen e vendngjarjes dhe më vonë është liruar nga gjykata greke.
Racizmi me fëmijët shqiptarë, 25 tetor 2003
Odise Cenaj, 18 vjeç nga Shkodra, u pengua me forcë që t’i printe
parakalimit të gjimnazistëve me flamurin grek në një ceremoni zyrtare.
Sipas rregullores së arsimin grek në ceremonitë zyrtare flamurin helen
duhet ta mbajë nxënësi i dalluar i shkollës. Dhe Odiseja ishte vërtet më
i dalluari, por nuk ishte grek. Ky incident bëri që në Greqi të nisin
debatet mes rrymave nacionaliste dhe atyre të moderuara, por në Shqipëri
përveç një keqardhje nuk pati asnjë reagim nga shteti shqiptar.
Vrasja për një fjalë, Aleksandër Lufo, Athinë 2003
Aleksandri është viktima e radhës ndër emigrantët tanë në Greqi, ku
gjykatat greke kanë liruar thuajse të gjithë personat që kanë vrarë
shtetas shqiptarë. 20-vjeçari është qëlluar disa herë me thikë nga një
shtetasi grek, pasi ky i fundit mendonte se emigranti i kishte vjedhur
një aparat radioje. Sipas policisë greke, “49-vjeçari grek, bari dhensh,
e ka qëlluar shqiptarin sepse ky e ka ofenduar”.
Vullnet Bytyçi, vrasje në kufi, 23 shtator 2003
Është një nga emigrantët e shumtë të vrarë në kufirin greko-shqiptar.
I riu Vullnet Bytyçi u ndalua nga një skuadër e ushtrisë greke gjatë
kalimit të kufirit. Në rrethana të paqarta një nga ushtarët ka nxjerrë
pistoletën dhe e qëlloi me një plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen e
menjëhershme. Qeveria shqiptare protestoi në ambasadën greke duke
kërkuar ndëshkimin e vrasësit. E vetmja masë që mori pala greke ishte
largimi nga shërbimi i ushtarakut helen që bëri vrasjen.
Papandreu për Himarën, Athinë 2003
Zgjedhjet në Shqipëri kanë ngritur gjithmonë temperaturën e
marrëdhënieve greko-shqiptare. Në vitin 2003, në Himarë do të
shënoheshin jo pak incidente mes simpatizantëve të PBDNJ-së dhe partive
të tjera. Kryeministri grek, Georgios Papandereu, deklaroi për
incidentet në Himarë se, “Himara është një pakicë solide greke dhe duhet
të konsiderohet si e tillë”. Kjo deklaratë e kreut të qeverisë shkaktoi
jo pak reagime në Tiranë, kur ende në Himarë dëgjoheshin thirrjet
antishqiptare.
Gramoz Palushi, Greqi, 5 shtator 2004
Fitorja e kombëtares shqiptare ndaj asaj greke në futboll është
kthyer në një tragjedi mbrëmjen e 5 shtatorit 2004. Shqiptari Gramoz
Palushi u vra me thikë nga greku Panajotis Kladhis vetëm për arsyen se
Palushi po festonte me flamurin. Palushi vdiq nga plaga e marrë nga
goditja me thikë. Në po të njëjtën ditë, në Athinë pati një seri
incidentesh mes shqiptarëve dhe grekëve të cilët kërkonin të festonin
fitoren në sheshin “Omonia”.
Luan Bërdëllima, vritet nga policia greke, 20 gusht 2004
36-vjeçari nga Gramshi, i cili jetonte familjarisht në Athinë, u
qëllua për vdekje nga një polic special. Në lokalin ku viktima shikonte
ndeshjen hyri policia dhe duke i sharë dhe ofenduar kërkon t’u bënte
kontroll shqiptarëve. 36-vjeçari protestoi duke treguar dokumentet e
rregullta dhe i kërkoi policit grek të mos e ofendonte. Por polici grek
nxori pistoletën dhe e qëlloi me një plumb në kohë duke i shkaktuar
vdekjen e menjëhershme. Përveç qëndrimit të opinionit publik në Tiranë,
në Greqi nuk pati asnjë reagim.
Vrasje për këngë shqiptare, 16 mars 2005
Ilir Frroku, 26 vjeç, u vra me thikë në një lokal të Athinës nga një
grek vetëm sepse po këndonte këngë shqiptare. Sipas dëshmitarëve dhe
shokëve të Ilirit vrasja është bërë nga badigardët e lokalit të cilët i
kanë qëlluar shqiptarët që po festonin. Ndërkohë që policia greke
serviri një tjetër motiv të vrasjes. Sipas saj shqiptarët kanë tentuar
të vjedhin një motorr që ishte parkuar afër lokalit dhe personi që e
goditi Frrokun ka qenë një turk.
Papulias anulon vizitën, Sarandë, 1 nëntor 2005
Dy vite më parë, incidentet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë
shënuan nivelin më të lartë protokollar. Presidenti i Greqisë, Karolos
Papulias, do të takohej me homologun shqiptar Alfred Moisiu, në Sarandë.
Papulias kërkoi që më parë të shkonte në konsullatën e Gjirokastrës,
por në hyrje të saj protestues të Shoqatës Çamëria kishin vendosur
parulla dhe thërrisnin për të drejtat e tyre. Papulias e interpretoi
këtë si një provokim dhe anuloi takimin me Moisiun në Sarandë.
Vrasja e Edison Jahaj, Kretë, 1 janar 2006
Mbajtja e një bluze me flamurin shqiptar e një djaloshi nga Tepelena,
në një bar ka qenë shkaku i një sherri mes shqiptarëve dhe grekëve në
mbrëmjen e 31 dhjetorit në fshatin Rrethimo të Kretës. Por sedra e
grekëve duket se ishte fyer keq, ndaj katër orë më vonë 7 prej tyre hynë
me forcë në shtëpinë e njërit prej shqiptarëve dhe e vrasin. Edison
Jahaj, 17-vjeçari nga fshati Levan i Tepelenës u vra me 17 thika nga një
grup grekësh. Autoritet helene e cilësuan si një vrasje raciste,
ndërkohë në Tiranë, Parlamenti Rinor organizoi një seri protestash.
Shkolla greke në Himarë, 20 shkurt 2006
Hapja e shkollës së parë greke “Omiros” në Himarë ka sjellë jo pak
debate mes politikanëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të PBDNJ-së.
Përurimi i shkollës u bë nga zëvendësministri grek i Arsimit dhe ai
vendas, por qeveria shqiptare nuk kishte dhënë ende lejen për ndërtimin
dhe hapjen e saj. Më shumë se një incident ishte një keqkoordinim i
punës së qeverisë. Pasi vetëm në muajin maj dha lejen për ndërtimin e
saj, ndërkohë që hapja u bë në muajin shkurt. Por kjo nuk i pengoi
politikanët të akuzonin vendin fqinj dhe anasjelltas.
“Zhvarrimet në Kosinë”, Përmet, 5 qershor 2006
Zhvarrimet në Kosinë shkaktojnë incident diplomatik mes vendeve.
Prifti ortodoks Vasili Thomollari kish marrë përsipër mbledhjen e
eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës. Por zhvarrimet ishin
bërë dhe në varreza shqiptarësh dhe fshatra ku ushtritë greke nuk kishin
kaluar kurrë. Policia shqiptare ndërhyri për të verifikuar eshtrat në
kishën e fshatit Kosinë të Përmetit. Ndërkohë konsulli grek nuk lejoi që
policia të hyjë në një objekt kulti. Ndërkohë prifti grek refuzoi të
paraqitej në prokurori.
Kryebashkiaku falënderon greqisht, 25 shkurt 2007
Lojtarëve shqiptarë në Greqi, një fjalë e thënë në gjuhën amtare mund
t’u kushtojë karrierën. Ndërsa në Shqipëri askush nuk ndalohet ta
fshehë identitetin, madje edhe kur është një zyrtar i lartë shtetëror
dhe me ligj i duhet të komunikojë në gjuhën zyrtare. I sapo zgjedhur
kryetar i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano preferoi t’i falënderojë
qytetarët e Himarës në gjuhën greke, edhe pse ata që e votuan ishin
shqiptarë, duke shënuar në këtë mënyrë një incident.
Viedoja greke, 4 mars 2007
Një marsh urrejtjeje i kënduar nga ushtarët grek gjatë stërvitjes ka
acaruar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo video u publikua në
internet, ndërkohë që teksti i këngës është botuar nga gazetat greke
dhe shqiptare. “I shikoni ata, janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të
bëjmë lidhëse këpucësh”, ky ishte teksti i këngës raciste që shkaktoi
reagime në disa qytete të vendit. Ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes i
kërkoi Athinës të dënonte skandalin, gjë që u bë nga zëvendësministri i
Jashtëm grek.
Dhuna mbi familjen e Alban Bushit, 5 mars 2007
Goli i futbollistit Shqiptar Alban Bushi ndaj skuadrës Iraklis u ka
kushtuar shumë shtrenjtë familjarëve të tij. Në ndeshjen Iraklis-Apollon
Kallamaria, pas golit të Bushit, tifozët e Iraklisit kanë ushtruar
dhunë mbi familjarët të cilët shihnin ndeshjen në stadium. Prindërit dhe
bashkëshortja e futbollistit shqiptar janë goditur me grushte dhe
shkelma për disa minuta. Familja e Bushit është detyruar të largohet me
autobusin e skuadrës pasi forcat e rendit nuk mund të ndalonin turmën.