September 18, 2012

A nuk është fyerje të refuzosh Shqipërinë dhe të luash në të ardhme për Kosovën?


 

Kamera OnAir - Shumica e futbollistëve shqip-folës që luajnë për përfaqësuese të tjera janë ankuar sistematikisht që Shqipëria është një vend me shumë probleme (?!) dhe ka pasur gjithnjë një arsye nga Tirana Qëndrore që nuk kanë veshur këtë fanellë. A nuk do ish më e ndershme të silleshin të gjithë si Nini apo Gërcaliu. i pari ndihet grek (punë e tij) ndërsa i dyti e ka pranuar zyrtarisht se ka zgjedhur Austrinë sepse i përkon me interesat financiarë. Shaqiri, Xhaka dhe Behrami thanë shpesh nëpër intervista se në të ardhmen do të luanin për Kosovën. A u besoni? Dhe nëse ndodh kjo refuzimi ndaj Shqipërisë nuk është fyerje për ngjyrat kuqezi?! Zgjedhjet duhen respektuar. Nuk ka tre flamuj, dy fanelë e tre tatuazhe!
Disa vite më parë Mërgim Mavraj (sot këndon me shumë pasion Xhamadani Vija Vija) vendosi të luante me përfaqësuesen U-21 të Gjermanisë megjithëse kish në dorë dhe një pasaportë shqiptare. Mërgimi ish kërkuar me ngulm nga kuqezinjtë, por në mënyrë shumë diplomatike ai konfirmonte herë pas here dëshirën personale: “Më prisni, sepse nëse më merr Gjermania e madhe…”. i njëjti Mërgim pasi kuptoi se Gjermania e madhe nuk ish interesuar më për të i dërgoi sinjale përfaqësueses shqiptare dhe kjo e fundit e bindur se mund të kish nevojë për shërbimin e tij (realisht ka) i preu biletën e avionit dhe e ftoi në një ndeshje zyrtare në Tiranë. Mavraj 24 orë përpara ndeshjes tha sërish “jo” dhe turma e tifozëve nxitoi ta konsideronte “prostitutë” ndërkohë që gazetarët dhe komentatorët e kohës e cilësuan rëndë me epitete të të gjitha llojeve për “talljen e hapur” që ai bënte kundrejt flamur. Sot Mërgimi luan për Shqipërinë, historia e tij tanimë është harruar dhe duke qënë se flet shqip dhe vesh fanelën e Shqipërisë është Benjamin i tifozëve dhe i shtypit. Është mbrojtësi që na duhej. Është njëri nga ata që ka kërkuar falje dhe kjo falja është pranuar. Shqiptarët nuk ja përmendin më!
Pak a shumë një histori të ngjashme kanë dhe disa shqiptarë të tjerë. Çani është një nga ata. Ai në mënyrë konstante refuzoi të luante për Shqipërinë me shpresën se Italia do ta rekrutonte dhe vetëm kur ai personalisht e kuptoi se të kaltërit nuk do ti jepnin shanse të mëdha filloi ti thërriste ndërgjegjes kuqezi dhe atdheut.
Duke qënë se cdo zgjedhje është personale dhe cdo vendim është pothuaj individual duhet patjetër të rendisësh një morri faktesh dhe argumentesh përpara se të gjykosh mbi ata të cilët luajnë apo nuk luajnë për Shqipërinë, pavarësisht se janë apo jo shqiptarë.
Një diskutim në kah të ndryshëm vlen përshembull për Canën dhe portierin Ujkani. Ata preferuan të bëhen pjesë e Shqipërisë teksa ishin shumë të rinj dhe ndoshta, ku i dihet, nëse do të kishin pritur dhe pak, Zvicra në rastin e Lorikut (kish pasaportë helvete) dhe Belgjika në rastin e Ujkanit, mund të ishin interesuar për ta.
Ka një të vërtetë të hidhur e cila bazohet mbi statistikat dhe zgjedhjet personale të futbollistëve. Në shumë përfaqësuese të Europës, sidomos atyre të moshave numri i madh i shqip folësve është evident. Nuk vijnë vetëm nga Kosova apo Maqedonia, por ka dhe lojtarë të lindur në Shqipëri. Gjergji Kone dhe Sotir Nini luajnë për Greqinë, ndërkohë që Jurgen Gjasula nuk do të heqë dorë nga pasaporta gjermane. Ronald Gërcaliu luan me Austrinë megjithëse është rritur në rrugicat e Tiranës, ndërkohë që shumë syresh të tjerë preferojnë më mirë shtetet e tjera se vend lindjen.
Por, sepse ka gjithnjë një por, ka një sjellje e cila është e ndryshme në raste të ndryshme. Shaqiri sot luan për Zvicrën por kurrsesi nuk mund të ankohet te gjyqtari kryesor i ndeshjes së së martës se shqiptarët e paskëshim cjerrë në qafë. Behrami gjithashtu luan për Zvicrën por disa vite më parë betohej se donte vetëm shqiponjën.
Tre famuj nëpër këmbë, shqiponjë në krah, fanelë zviceriane dhe qarje pa fund se Shqipëria nuk ofron nuk shkon. Statistikat tregojnë se 90% shqiptarët shumë të talentuar zgjedhin këdo përfaqësuese europiane përvec Shgipërisë. Të njëjtat statistika thonë që ata që vijnë e luajnë për Shqipërinë me shumë gjasa janë refuzuar nga përfaqësuese më të rëndësishme.
Stastikat janë të ftohta dhe deklaratat emocionale dhe patetike për të shkuarën dhe të ardhmen nuk vlejnë. Shqiptarët që luajnë me Zvicrën janë shprehur tërë keqardhje për faktin që nuk luajtën kurrë për Shqipërinë, por ndërkohë thanë që në një të ardhme do të luajnë për Kosovën. Kosova dhe Shqipëria janë një, dhe qëndra e një historie që fatkeqësisht për ne është e ndarë në dy shtete është Shqipëria e sotme! Nëse nuk pranon të luash për Shqipërinë dhe më pas luan për Kosovën është fyerje për ngjyrat kuqezi. Kush nga ju beson se Xhaka, Shaqiri, Behrami e të tjerët do të heqin dorë nga Zvicra për të luajtur për Kosovën?! A duhet të besojmë me shumë cinizëm se ata thjesht po fitojnë kohë kundejt një fakti historik që të gjithë duan të jenë sa më i shpejtë?!
Luani për Zvicrën, Greqinë, Gjermanië, Austrinë apo qoftë dhe për Australinë, po ju lutem mos na thoni në mënyrë sistematike se Shqipëria është një vend me probleme, se këtu ka korrupsion, se këtu u kërkoa rryshfet apo se makinat kalojnë me semafor të kuq! Këto i dimë të gjithë!
Dilini për zot fanelës suaj njësoj si bëni në fushë dhe jashtë saj! Nuk mund “ta kesh” mirë me të gjithë…
Ndërkohë ne do vazhdojmë tu kërkojmë dhe kur na refuzoi disa herë rresht si Mavraj apo Cani. Sepse na duheni, dhe kur je nevojtar është e vështirë të bësh “të fortin”. Por, së paku, së paku, mos gënjeni.

No comments:

Post a Comment